Prokuroria Speciale shënjestron tri raste me 30 të dyshuar

Prokuroria Speciale shënjestron tri raste me 30 të dyshuar

Aktuale April 16, 2024 - 15:16

Nën udhëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, ku janë shenjtëruar tri raste të reja me 30 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Speciale njofton se në rastin e parë janë përfshirë shtatë persona, prej tyre katër gjenden në paraburgim dhe tri në masën e arrestit shtëpiak për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarje e parave” dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në këtë rast janë konfiskuar 257.540,00 euro, shtatë vetura, nëntë telefona, kompjuterë dhe pajisje kompjuterike, një armë e gjatë dhe një pistoletë.

Në rastin e dytë janë përfshirë 19 persona, tre prej tyre gjenden në paraburgim për veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve ose të materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Nga ky rast janë konfiskuar 35 armë, katër vetura, 650 euro, dy telefona dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Ndërkaq, në rastin e tretë të shënjestruar janë të përfshirë katër persona për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, “Dhënia e ndihmës” dhe “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”. /Zëri