Doarsa Kica Xhelili: Kosova vend i rrezikshëm për gratë, komentuesit vrasës potencial, kemi dështuar kolektivisht
Foto: Laura Hasani

Doarsa Kica Xhelili: Kosova vend i rrezikshëm për gratë, komentuesit vrasës potencial, kemi dështuar kolektivisht

Aktuale April 16, 2024 - 17:15

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili thotë se është “turpëruese dhe e vërtetë njëkohësisht” që “Kosova është vend i rrezikshëm për vajzat dhe gratë”.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se dhunuesit e vrasësit potencial po shfaqen në komente, ndërsa pyeti se a i merr në pyetje ata ndokush.

Postimi i plotë:

Të bërtasim derisa të na pëlcasë shpirti – prap s’bëjmë gjë.

Kosova është vend i rrezikshëm për vajzat dhe gratë. Kjo është fjalia më turpëruese dhe e vërtetë njëkohësisht.

Reagimet ‘simptomatike’ që i bëjmë sa herë ndodh EDHE një rast janë thuajse frymëzuese për dhunë shtesë – sepse ky është mesazhi që japim pavetëdijshëm. Se e përfunduam punën me kaq.

Komentet e përçudnuara i keni para vetes çdo ditë. Aty i keni dhunuesit dhe vrasësit potencial. A i merr ndokush në pyetje? Askush! Thirrjet për vrasje e urrejtje ndaj çdo gruaje me mendim të sajë, e “Zot mos e bjer” një gruaje që zgjedh të mos duroj dhunë emocionale e fizike, janë bërë përditshmëri.

Kur dhunuesi dënohet me 400 euro, e hajni me 2 vite burg, jeta e gruas bëhet aq. Më e lirë se një stoli e vjedhur. Asgjë e re.

Pastaj, edhe diskutimet në Kuvend, madje dhe për çështje të mbrojtjes së grave, janë bërë politike. Kur unë rekomandoj buxhet shtesë për strehimore, dhe propozoj rezolutë për mbrojtje të grave, nuk i pranojnë sepse i propozoj UNË. I pengon emri im, si një grua që propozoj diçka për gratë. E pse të presim që të na marr dikush më seriozisht? Pse duhet burrat të hamendësohen nëse duhen ngritur dorë apo jo kur shteti tallet me idenë e mbrojtjes së gruas. 400 euro? Kaq paguhet lehtësisht dajaku. Kështu ka çmim edhe vdekja. Liridonës i dhanë çmim për të sajën.

Prandaj as unë s’mund të shes më dramë duke treguar sa e tronditur jam. Nuk mund të tronditesh sistematikisht e as nuk mund ta relativizosh tronditjen me një “bërtimë” momenti kur je në rolin tim.

Nëse nuk zgjohem çdo ditë me një ide shtesë se si t’a përçaj tejpërtej frymëmarrjen e lirshme mizogjene në Kosovë, atëherë kot flas sot.

Fjalët tona as nuk i kthejnë në jetë e as ndalin vrasjen e Gjyljetave tona.

E derisa ta gjej rrugën për një copë ndryshim të vajzave dhe grave, as unë s’kam pse flas për tronditje. Deri në Rezolutën e radhës që mund ta refuzojnë sërish? Ndoshta. Nuk e di! Por një rrugë do ta gjejmë!

Deri këtu, kemi dështuar kolektivisht.