Bujar Osmani: Kam më shumë informacione për sulmin në Banjskë, do të kërkoj dalje nga “Ballkani i Hapur”
Foto: Laura Hasani

Bujar Osmani: Kam më shumë informacione për sulmin në Banjskë, do të kërkoj dalje nga “Ballkani i Hapur”

Aktuale April 17, 2024 - 19:26

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se ka fakte dhe informata të reja lidhur me ngjarjen në Banjskë të Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar dhe ato do t’i prezantojë në mbledhje të mbyllur të Qeverisë me qëllim, siç tha, të rishqyrtohet dhe të vendoset nëse shteti duhet të qëndrojë më tej në nismën “Ballkani i Hapur” në të cilën është së bashku me Shqipërinë dhe Serbinë.

Pas incidentit në Banjskë, ministri Osmani nuk ka marrë pjesë në ngjarje të “Ballkanit të Hapur”, por megjithatë, tha se qeveria do ta sjellë vendimin për pjesëmarrjen e mëtutjeshme të Maqedonisë së Veriut në nismën, e cila, siç tha, ka pasur qëllime fisnike.

“Kur ndodhi sulmi në Banjskë në Kosovë, pata deklaratë se kjo shkon në kundërshtim të idesë themelore të nismës – se nisma është për pajtim. Dhe thash – nëse ka përzierje të drejtpërdrejtë të Beogradit në Banjskë, atëherë me të vërtetë duhet të rishqyrtohet (pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në të) sepse i shkel shtyllat e idesë themelore. Meqenëse tani kam më shumë informata se çka ka ndodhur në Banjskë, planifikoj në mbledhje të mbyllur ta informoj Qeverinë, ndërsa Qeveria do të vendosë se si do të veprojë më tutje”, tha Osmani, raporton “Klan Maqedonia”.

Sipas tij, nisma “Ballkani i Hapur” nuk është e plotë sepse nuk janë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por tha se është nismë në tentim, e cila, me ide të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur dy qëllime.

“Ajo kishte dy qëllime – pajtimin për krijimin e parakushteve për mbyllje të kontestit kosovaro-serb dhe për njohje të ndërsjellë dhe liberalizim të tregut sepse u vlerësua se 80 për qind të kohës kamionët në Ballkan e kalojnë në vendkalime kufitare, ndërsa 20 për qind në rrugën drejt destinacionit të tyre. Kuptohet, ato ishin qëllime fisnike në të cilat ne morëm pjesë. Por ajo është nismë në tentim sepse, derisa nuk janë të gjashtë vendet, nuk është nismë e kompletuar”, tha ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. /tvklan.mk