Bislimi nga Brukseli: Edhe sot Serbia nuk pati fare interes për arritjen e një marrëveshjeje
Foto: Laura Hasani

Bislimi nga Brukseli: Edhe sot Serbia nuk pati fare interes për arritjen e një marrëveshjeje

Aktuale April 18, 2024 - 16:21

Edhe sot u zhvillua takimi mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pas këtij ka dhënë edhe një deklaratë, ku tha se vetëm një ditë pas anëtarësimit të Kosovës në KiE, Serbia tregoi mentalitetin e vetë mesjetar duke ndaluar qytetarët shqiptarë që po kalonin në kufirin Serbi-Kroaci për më shumë se 14 orë.

Sipas tij, Serbia të njëjtën qasje e pati edhe sot gjatë këtij takimi, raporton Zeri.info.

“Ata në takimin e sotëm në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë mosvërtetësinë e konstatimit të tyre të hershme që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serb nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre. Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi”, theksoi ai.

Bislimi u shpreh se në këtë takim Serbia erdhi me një propozim krejtësisht të ri, kurse në agjendë ishte të diskutohej për propozimin e Lajçakut.

“Rrjedhimisht ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serb të trajtohen”, u shpreh ai ndër tjera. /Zëri