Vuçiqi “kapet” me presidenten e KS të OKB-së për kohën e fjalës
Foto:UN

Vuçiqi “kapet” me presidenten e KS të OKB-së për kohën e fjalës

Aktuale April 22, 2024 - 23:45

Tensionet u ngritën në seancën e Këshillit të Sigurimit ku u prezantua raporti mbi punën e UNMIK-ut dhe ku pati shkëmbime të nxehta.

Në një moment tensionues gjatë seancës së KS të OKB-së, presidentja aktuale e Këshillit Vanessa Frazier nga Malta, qortoi ashpër Alleksandar Vuçiqin e Serbisë pas një mosmarrëveshjeje për kohën e fjalimit.

Ndërsa seanca e kishte kaluar kohën e paraparë, presidentja e Këshillit deklaroi se është arritur konsensus për caktimin e tre minutave kohë për fjalim për presidenten Vjosa Osmani dhe homologun e saj serb, Vuçiqi.

Megjithatë, Vuçiqi e kundërshtoi pohimin, duke thënë: “Kjo nuk u ra dakord, por kjo nuk ka rëndësi”.

Frazier e kundërshtoi menjëherë dhe iu referuar konfirmimit të marrëveshjes nga ana e zëvendëses së saj, duke thënë: “Zëvendësja ime sapo më tha se ishte dakord me ty. Unë nuk do të pranoj që ajo të quhet gënjeshtare”.

Ajo më pas i përsëriti Vuçiqit se ai mund të fliste për tre minuta dhe Vuçiqi mori fjalën duke e falënderuar.

Në këtë seancë, presidentja Osmani ishte e shoqëruar nga katër gra, të mbijetuara nga lufta në Kosovë: Elhame Muqolli, Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Fahrije Hoti.

Ajo tregoi rrëfimet e të katrave para të pranishmëve, ndërsa në fund kërkoi nga Vuçiqi që t’u kërkojë falje atyre. /klankosova