Kandidatja e VMRO-së prin në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut
Foto: Reuters

Kandidatja e VMRO-së prin në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Aktuale April 24, 2024 - 21:54

Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit.

Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.

Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Silanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.

Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.

Këto zgjedhje njëherësh janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë ato do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.

Sa vota kanë marrë kandidatët e tjerë?

Në garën për kreun e shtetit kanë garuar shtatë kandidatë.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garoi me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Sipas rezultateve të para, ai është i treti me 81.748 vota apo 15.63 % të votave të fituara.

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit. Ai ka siguruar 59.591 apo 11.39 % të votave.

Pjesë e garës zgjedhore ishin edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”. Nga këta kandidatë, më së shumti vota ka marrë Dimitrievski, përkatësisht 42.296 vota apo 8.09 %.

Pritjet e qytetarëve nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

Qytetarë të Maqedonisë së Veriut të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i takoi në qendrat e votimit të mërkurën teksa po zhvillohej procesi zgjedhor, thanë se cilido prej shtatë kandidatëve që zgjidhet, presin që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit integrues, në luftimin e korrupsionit dhe të ndalë hovin e largimit të të rinjve nga vendi.

Teksa votuan për të zgjedhur presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, ata kërkuan po ashtu rritjen e cilësisë në arsim, në mënyrë që gjeneratat e reja me dijen e tyre të kontribuojnë për zhvillimin e vendit.

Velika Minovska, pensioniste nga komuna e Çairit në Shkup, e cila votoi bashkë me bashkëshortin e saj, tha për Radion Evropa e Lirë se me rëndësi të veçantë për të është që shteti të ecë para dhe të krijohen kushte për një jetë me dinjitet edhe për më të moshuarit.

“Po, votova me shpresë se do të bëhet më mirë, atë presim se do të vijnë ditë më të mira. Shpresojmë që vendi të ecë para dhe të ketë perspektivë për qytetarët. Një jetë me dinjitet edhe për ne më të moshuarit”, tha Velika Minovska.

Edhe Sunaj Iljazi rreth të 30-tave tha se nga zgjedhjet presidenciale pret që Maqedonia e Veriut t'i përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke mundësuar një standard më të mirë për gjenerata e reja.

“Të ketë më shumë punësime për të rinjtë. Të jemi një shtet që i ka institucionet me rregull, të besueshme”, tha ai.

Edhe Behar Memishi pohoi se nga presidenti i shtetit pret që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit të integrimeve për Maqedoninë e Veriut:

“Presim të zhbllokohet procesi (i integrimeve), këtë kërkesë kemi nga ai (presidenti i ri i shtetit)”.

Ndërkaq, Zllatko Ardirovski tha se nga presidenti i ri pret që të ndikojë në shtytjen para sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Pres që (presidenti i ri) të bëjë më shumë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin në nivele të larta, të insistojë në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbeten në Maqedoni (të Veriut) përmes ngritjes së cilësisë së arsimit. Kjo është ajo që pres nga presidenti i shtetit, i cili do të zgjidhet”, theksoi Zllatko Argirovski nga komuna Qendër e Shkupit. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: