Avokati i Popullit, i shqetësuar me raportimet për ngacmime seksuale në UP

Avokati i Popullit, i shqetësuar me raportimet për ngacmime seksuale në UP

Aktuale April 25, 2024 - 14:58

Avokati i Popullit është shqetësuar në lidhje me raportimet e fundit për ngacmimet seksuale, të cilat po raportohen kohëve të fundit në Universitetin e Prishtinës.

Në një reagim publik, Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se shqetësime të tilla janë shprehur edhe më herët nga studentët në takime e në aktivitete promovimi të të drejtave të njeriut, transmeton Zëri.info.

“Ngacmimet seksuale nuk duhet të tolerohen, kërkohet reagim institucional, kërkohet po ashtu debat i hapur publik për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, sidomos të vajzave e të grave që rastet e tilla t’i raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Kjo çështje kërkon masa efikase në reagim për të rritur besimin në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, me qëllim që kjo dukuri në asnjë rast të mos mbetet pa u ndëshkuar”, thuhet në këtë reagim, transmeton Zeri.info.

Ai ka kujtuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh se secili person e ka të drejtën e respektimit të integritetit fizik të tij/saj, si një prej të drejtave më të rëndësishme personale të njeriut, e cila ngërthen në vete detyrimet pozitive për shtetin për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme për ta mbrojtur pacenueshmërinë.

“Është detyrë jona të ndërhyjmë dhe t’i mbrojmë viktimat e ngacmimit seksual duke u ofruar mbështetje dhe duke i njoftuar autoritetet përkatëse kompetente për këto sjellje të papërshtatshme, të cilat ushtrohet nga personat e caktuar me qëllim të përfitimit seksual, të cilët krijojnë ndjesinë e të qenët i pafuqishëm përballë tij/saj”, ka thënë ndër të tjera IAP.

Në fund, Avokati i Popullit kërkoi që autoritetet të ndërmarrin të gjitha masat e përshtatshme për parandalimin dhe identifikimin e raportimit dhe trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë efektive. /Zëri