Qelaj në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur: Ende s’dihet fati i mbi 1600 personave
Foto: Laura Hasani

Qelaj në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur: Ende s’dihet fati i mbi 1600 personave

Aktuale April 26, 2024 - 12:34

Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Çelaj ka thënë se ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur dhe sipas tij ky është një fakt shqetësues dhe i padrejtë për viktimat.

Çelaj u bëri thirrje institucioneve vendore dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar pa kompromis që të ushtrojnë presion për të detyruar autoritet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që çojnë te zbardhja e fatit të personave të zhdukur.

“Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, dua të falënderoj secilin për kontributin dhe angazhimin për përmbushjen e një pjese të detyrimit që ka shteti për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, në shënim e kujtim të krejt vuajtjeve e sfidave që sot ballafaqohen familjarët e të zhdukurve në Republikën e Kosovës. Patjetër një falënderim shkon për vitet para luftës, gjatë luftës, pas luftës që kanë dhënë kontribut të veçantë me evidentimin e asaj që ka ndodhur, dokumentimin e asaj që ka ndodhur pas përfundimit të luftës dhe ngritjen e zërit”, ka thënë Qelaj.

Avokati i Popullit rikujtoi detyrimet që ka shteti për t’u garantuar viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin e familjareve të zhdukur me forcë dhe për të garantuar drejtësi për viktimat.

“Kur kanë kaluar më shumë së 25 vjet ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur, ky është një fakt shqetësues dhe i pa drejtë për viktimat. Prandaj avokati i popullit i bën thirrje institucioneve vendore dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, pa kompromis të ushtrojë presion për të detyruar autoritet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë tek zbardhja e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë Qelaj.

Labinot Sheremeti, këshilltar juridik në Institucionin e Avokatit të Popullit, ka prezantuar statistikat e personave të vrarë, të zhdukur e të burgosur gjatë dhe pas luftës.

“13 535 persona të vrarë apo zhdukur, mbi 10 000 prej tyre civilë, 1133 prej tyre fëmijë të vrarë apo të zhdukur. Mbi 1600 persona të zhdukur. Deri në vitin 2021, në varrezat masive në Serbi, janë gjithsej 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë. Rreth 20 000 viktima të dhunës seksuale. Mbi 2 000 persona janë dërguar në mbajtje në burgjet në Serbi. Së paku 810 000 qytetarë të Kosovës gjatë luftës kanë qenë refugjatë. Rreth 120 000 shtëpi të shkatërruara. Mbi 22 miliardë euro dëme materiale”, ka thënë Sheremeti.

Ndërsa Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka treguar për punën dhe angazhimin që janë duke e bërë. Hoti ka theksuar se kanë ndërkombëtarizuar çështjen e personave të zhdukur.

“Mendoj që Kosovës jo vetëm tash por edhe në të kaluarën i nevojitet një dokumentim, një hartim i asaj çka ka ndodh. Nuk ka nevojë për asnjë klasifikim shpikje apo përgënjeshtrim, por thjesht një dokumentim i gjithë atyre krimeve një bashkëpunim i atyre krimeve ose një bashkim i atyre dokumenteve në një institucion të vetëm. Kanë punu pa reshtur edhe në forma të ndryshme edhe në kushte të ndryshme megjithatë shteti deri sot nuk është që ka pas një institucion të qartë se ku dhe si do të ruhen gjitha këto dokumente. Përveç kësaj, mendoj jam i bindur plotësisht që një delegacion i Serbisë i ka të gjithë informacionet për Kosovë thjesht duhet me pas vullnetin, kurajën me i dhënë ato dhe mu përballë me drejtësi. Deri sa kjo nuk arrihet natyrisht që kjo do të jetë e vështirë natyrisht që ne do ta kemi edhe gishtin të drejtuar nga ne, sepse është normale përderisa kjo nuk arrihet e kemi shumë të vështirë. Jemi mundu 2 vite kemi shkuar në Bruksel me ekipin e dialogut dhe kemi futur në kuadër të dialogut. E kemi ndërkombëtarizu çështjen e personave të zhdukur jo politizu e kemi ndërkombëtarizu e kemi ngrit në nivel demokratik në mënyrë që me pas një garanacion e ai garancion të jetë BE-ja. Ma në fund me 2 maj kemi arrit me miratu jo nënshkru deklaratën e personave të zhdukur. Si rrjedhojë e aneksit të Ohrit që ka qenë me 18 mars në Ohër me 1 qeshor e keni në implementim të deklaratës”, tha Hoti.

Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ka thënë se fatmirësisht edhe organizatat kanë arritur të dokumentojnë krimet e kryera në Kosovë.

“Instituti ka rol të rëndësishëm për ruajtjen e të dhënave për kryerjen e krimeve në Kosovë. Ka linjën e veçantë buxhetore dhe ligjin e vet. Instituti pretendon që të aplikoj një strategji strikte, me kombinimin e burimeve të ndryshme që do të sigurojë një bazë të qëndrueshme për dokumentimin. Disa herë ka qenë fat në fatkeqësi se organizatat kanë arritur të dokumentojnë krimet e kryera në Kosovë. Do të bashkëpunojmë me të gjithë akterët, që të grumbullohen të dhënat për krimet e kryera. I kemi bërë vetëm 5 muaj punë në këtë drejtim. Jemi duke punuar për një i infrastrukturë dhe rekrutimin e profesionistëve dhe mbledhjen e materialeve. Kemi nisur me grumbullimin e arkivave. Muajve në vazhdim do të ndajmë informacione më të detajuara”, tha Hetemi.

Ndërsa Bajram Qerkini, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”, ka thënë se edhe pas 25 viteve nuk po gjendet gjuhë e përbashkët, edhe pse është nënshkruar marrëveshja, të na zbutet pak dhimbja.

“Pas 25 vjetësh nuk po gjendet gjuhë e përbashkët, edhe pse është nënshkruar marrëveshja, të na zbutet pak dhimbja”, tha Qerkini. /EO