Gërvalla: Ndryshimi i kufijve mund të nisë një luftë në Ballkan
Foto: Laura Hasani

Gërvalla: Ndryshimi i kufijve mund të nisë një luftë në Ballkan

Aktuale April 29, 2024 - 11:13

Ideja e shkëmbimit ose e ripërcaktimit të territoreve mund të çojë në një luftë të re në Ballkan, ka thënë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, teksa komentonte për gazetën ukrainase “European Pravda”, situatën në Kosovë dhe raportet e tensionuara me Serbinë.

Kryediplomatja nuk e sheh si zgjidhje shkëmbimin e territoreve, por, “punën jashtëzakonisht komplekse të integrimit” të komunitetit serb, është sipas saj alternativa.

“Ky plan nuk zgjidh probleme, por krijon të reja për të gjithë rajonin. Precedenti i ndryshimit të kufirit në Ballkan mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe mund të nisë një luftë të re”, ka thënë Gërvalla.

E për luftë foli edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pikërisht në gazetën ukrainase “European Pravda”.

Bislimi ka deklaruar se Kosova duhet të jetë gati për ndonjë konflikt të mundshëm, pasi kundër nesh, sipas tij, gjithmonë mund të nisë një sulm hibrid nga Serbia.

“Nëse i shikoni zhvillimet në anën e Serbisë, gjithmonë mund të llogarisni me një konflikt të mundshëm dhe ka disa elementë që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Kjo do të thotë se ne jemi gjithmonë vigjilentë, gjithmonë llogarisim me skenarin më të keq të mundshëm, por ne besojmë se prania e KFOR-it, trupave tona të NATO-s në Kosovë mund t'i pengojë këto tensione nga Serbia në një të ardhme të afërt, por është gjithmonë e mundur”, ka deklaruar Bislimi.