Zyra e Kryeministrit shpalos detaje të tjera nga biseda e Kurtit me Scholzin
Foto: Laura Hasani

Zyra e Kryeministrit shpalos detaje të tjera nga biseda e Kurtit me Scholzin

Aktuale April 29, 2024 - 14:20

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për media, ka ndarë më shumë detaje rreth kësaj bisede.

Siç thuhet në njoftim, kjo bisedë ka ardhur pas votimit të suksesshëm këtë muaj nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), e cila me 131 vota për kërkoi nga Komiteti i Ministrave të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të bisedës. Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Tutje Zyra e Kryeministrit bën të ditur se me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës.

“Rikujtojmë që Këshilli i Evropës, mbi bazën e raportit të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili brenda kishte edhe rekomandimet e Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, u votua me 82% të votave nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Opinioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës kërkon nga Komiteti i Ministrave që pa parakushte e kushte shtesë të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të saj e që njëherësh është shteti i vetëm demokratik evropian që ende nuk është pjesë e kësaj organizate të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.

Pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë, pasi u garanton qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /Zëri