SHSKUK-ja bëhet me dy klinika, kostoja mbi katër milionë euro

SHSKUK-ja bëhet me dy klinika, kostoja mbi katër milionë euro

Aktuale May 02, 2024 - 14:09

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, kanë vendosur të enjten gur themelin për ndërtimin e objektit të Hematonkologjisë dhe atë të Nefrologjisë.

E kostoja e ndërtimit të këtyre klinikave është rreth 4.3 milionë euro, ndërsa afati për përfundim është 36 muaj.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se me ndërtimin e këtyre klinikave do të plotësohen standardet moderne. Si pasojë e gjendjes në klinikat aktuale, Vitia tha se nuk kanë mundur të jepen shërbime.

“Jam shumë i gëzuar që gjendem sot në ambientet e QKUK-së ku bashkë me dy profesorët e nderuar, Emrushin dhe Shemin dhe drejtorin e SHSKUK-së e hodhëm gur themelin për klinikën e re të Hematonkologjisë dhe të Nefrologjisë. Një klinikë që do të plotësoj standarde moderne, të cilat tani për shkaqe të infrastrukturës së vjetër dhe të dëmtuar, klinikat aktuale përkundër angazhimit dhe përkushtimit maksimal të profesionistëve shëndetësorë nuk kanë mundur të jepen shërbime”.

“Përveç asaj, me këtë klinikë të re jam shumë i lumtur që me përfundimin e kësaj klinike që e kap vlerën diku 4.3 milionë euro total do të këtë edhe shërbime të tjera për qytetarët tanë, të cilët tash për shkaqet që i përmenda nuk kanë mundur të marrin trajtimin brenda Republikës sonë”, u shpreh Vitia. /eo