“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën
Foto: Laura Hasani

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Aktuale May 02, 2024 - 23:32

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, në të cilin, ndër të tjera, si problem ishte theksuar “korrupsioni serioz në Qeverinë Kurti”.

Në raportin e fundit të DASH-it për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2023, që u publikua javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Analisti politik, Visar Ymeri, në RTV Dukagjini e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se po tenton ta mbulojë korrupsionin duke e përdorur veriun.

Ai në “Debat Plus” tha se gjithmonë në skenën politike të Kosovës janë ndëshkuar partitë për të cilat ka pasur perceptim se janë të korruptuara.

“LVV-ja dhe deputetët e tyre duhet të jenë të vetëdijshëm që nuk mundesh me mbulu korrupsionin, hajninë me veriun e as duke thënë ata kanë qenë më të këqij se ne. Në Kosovë ka pasur përmbysje për këto arsye, për shkak që ka pasur një bindje që janë të korruptuar e pastaj është votu dikush tjetër. VV po synon ta ndërtojë një fushatë, që me i mbulu këto gjëra, duke thënë se i kemi disa suksese. Ky mundet me qenë mashtrimi i radhës, [Serbia po do me na sulmu], por mos e përdor këtë kartë me mbulu hajninë, është e pandershme”, tha ai.

Analisti tjetër Dibran Hoxha thotë se nëse qeveritë e kaluara janë gjykuar me raportet e Departamentit të Shtetit, s’mund të veprohet ndryshe as me Qeverinë Kurti.

“Nuk e kuptoj Kurtin. Nëse vartësit apo ministrat tu janë të pafajshëm pse duhet të shqetësohesh. A po ndodh shqetësimi se gjyqësori po ja shteron burimet njerëzore? Edhe kjo nuk ndodh se ka njerëz. Nëse lajmet për korrupsion ta ndikojnë rezultatin zgjedhor të shqetëson, edhe kjo nuk po ndodh se sondazhet mirë po të qesin. Pra nëse zyrtarët e LVV dalin të fajshëm me prova, narrativa kundërshtuese e Kurtit kundër gjyqësorit që është ndërtuar për të diskredituar vendimet që do të merren [kundër LVV-së]. Ndryshe se kuptoj pse Kurti është kaq kundër gjyqësorit”.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se Qeveria Kurti me disa veprime nuk po tregon gatishmëri për të luftuar korrupsionin.

“Ministri Murati tha sot se në vitin 2019 fjala korrupsion në raportin e Departamentin e Shtetin është përmendur 24 herë derisa në vitin 2023 fjala e tillë është përmendur 12 herë. Pra me kësi argumente merret Murati… Nëse qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me atë premtimin e luftimin e korrupsionit, po i lufton njerëzit që po e luftojnë korrupsionin”.

Analisti politik, Dardan Gashi, e ka publikuar një grafikë, ku, sipas tij, tregon se prej viteve 2021-2023, Qeveria aktuale e Kosovës ka shpenzuar rreth 88 milionë euro për mallra dhe shërbime.

Gashi tha se kjo nuk ka të bëjë me korrupsion, por sipas tij Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke i kritikuar qeveritë e kaluara për shpenzime të panevojshme.

Kritika për diskursin e Qeverisë Kurti ka edhe Ylli Hoxha për raportin e Departamentit të Shtetit.

“Nuk mundet që pas secilës akuzë për korrupsion që i bëhet ndonjë ministri Qeveria Kurti t’u përgjigjet me shprehjen “çfarë keni bërë ju”. Konsideroj se Qeveria Kurti duhet të jetë 10-fish më e përgjegjshme për shkak të diskursit që kanë përdoruar derisa kanë ardhur në pushtet. Rasti i Martin Berishajt, KEK-ut apo Rezervave Shtetërore ka marrë mbrojtjen politik të LVV-së, pasi që këta të fundit kanë bojkotuar punën e komisioneve parlamentare ku është kërkuar hetim”, ka deklaruar Hoxha.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2023 ka konstatuar poashtu se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe me problemin e dhunës me bazë gjinore.

Në raportin e DASH-it u përmend se më 2023 nuk ishte raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.