Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë, po përgatiten ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë, po përgatiten ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale May 04, 2024 - 11:53

Kreu i Institutit ESI, Gerald Knaus, ka thënë se janë disa shtete anëtare të Këshillit të Europës që po përgatiten të bllokojnë votimin për pranimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Ai këtu radhit edhe dy shtetet aleate të Kosovës, Francën e Gjermaninë.

“Aktualisht disa qeveri anëtare të Këshillit të Evropës, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, po përgatiten të bllokojnë një votim për pranimin e Kosovës në maj, duke injoruar rekomandimin e fortë të Asamblesë së saj parlamentare (APKE) në prill”.

Vetë lideri i Francës dhe i Gjermanisë, presidenti Emmanuel Macron dhe kancerlari Olaf Scholz, kishin telefonuar kryeministrin kosovar Albin Kurti për ta kushtëzuar anëtarësimin në KiE me hapa konkretë dhe urgjentë drejt themelimit të Asociacionit.

Knaus thotë gjithashtu se ky vendim pasohet nga një fushatë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke përfshirë edhe “një apel personal drejtuar presidentit francez Macron që të mos lejojë votimin”.

Ai përmend edhe angazhimin e Serbisë për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafal.

“Në 75-vjetorin e tij, Këshilli i Europës është i ndarë për një çështje themelore: a kanë rëndësi vlerësimet ligjore dhe votat në PACE? A është anëtarësimi për meritë apo është thjesht politik?”, pyet Knaus.

Knaus thotë se derisa Kosova po kushtëzohet me vendime politike, Azerbajxhani mbetet në Këshill të Europës edhe pasi sapo arrestoi fituesin e çmimit të KiE Havel 2014 për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, Mammadli Anar./Express/