Durmishi në Prokurorinë Speciale, po intervistohet për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë
Foto: Laura Hasani

Durmishi në Prokurorinë Speciale, po intervistohet për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë

Aktuale May 08, 2024 - 10:20

Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Hyseni do të intervistohet në lidhje me tenderin e rrugës Prishtinë - Podujevë.

Javën e shkuar vetë zëvendësministri njoftoi se ka marrë ftesë për intervistim, teksa e cilësoi atë si të bazuar në disa spekulime.

Ai nuk ka bërë të ditur nëse është ftuar që të intervistohet si i dyshuar ose dëshmitar.

Kujtojmë se vlera e tenderit që u nënshkrua vitin e kaluar nga Durmishi e për të cilin do merret në pyetje kap vlerën e 38 milionë eurove, raporton Reporteri.net.

Atë kohë ka pasur ankesë aktive kundër kontratave në Organin Shqyrtues të Prokurimit [OSHP] dhe sipas Ligjit të Prokurimit Publik në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.

Në mesin e kontratave të dhëna përmes këtij tenderi ishte edhe ajo për kompaninë “Bageri”, pronarin e së cilës zëvendësministri Durmishi ka pohuar se e ka mik.