Durmishi pas intervistimit nga PSRK-ja: Isha i ftuar si i dyshuar, sqarova pastërtinë e plotë në këtë proces
Foto: Laura Hasani

Durmishi pas intervistimit nga PSRK-ja: Isha i ftuar si i dyshuar, sqarova pastërtinë e plotë në këtë proces

Aktuale May 08, 2024 - 12:37

Pas dy orësh ka përfunduar intervistimi i zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e rrugës Prishtinë - Podujevë.

Në një deklarim para gazetarëve, Durmishi tha se është ftuar nga ky institucion i ndjekjes në cilësinë e të dyshuarit dhe se nga prokurori i janë bërë pyetje sqaruese.

Durmishi tha se ka “sqaruar pastërtinë e plotë” të tij në procesin e ndërtimit të rrugës Prishtinë - Podujevë.

“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale, isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë - Podujevë. Kryesisht kjo është fazë e fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova po thuaj se të gjitha pyetjet të cilat I kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar dhe në një farë mënyre sqarova para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces. Bëhet fjalë për një kallëzim penal që e ka bërë një operator ekonomik, ankues në kohën kur janë nënshkruar këto kontrata, e cila është totalisht e pa bazuar. Ka vendime edhe të OSHP-së, dokumente të cilat janë publike dhe që dëshmojnë pastërtinë tonë në gjithë këtë proces. Prandaj thjesht ishin disa sqarime të prokurorit, të cilat ai i mori dhe tash po presim”, tha Durmishi.

Ai ka theksuar se punimet në këtë aks rrugor do të vazhdojnë dhe do të përfundojnë gjatë këtij viti.