Drejtori i Policisë: Shemsi Hazirin e kam transferuar unë, është epror i vyeshëm
Foto: Laura Hasani

Drejtori i Policisë: Shemsi Hazirin e kam transferuar unë, është epror i vyeshëm

Aktuale May 10, 2024 - 12:18

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se ish-Shefin e Task-Forcës Antikorrupsion, Shemsi Hazirn e ka transferuar në pozitën e zëvendësdrejtorit të hetimit të drogave.

Këtë përgjigje Hoxha e ka dhënë të premten teksa ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Siguri të Kuvendit të Kosovës.

“Shemsi Hazirin e kam transferuar unë. E kam transferuar në kuadër të reformave të mëdha që i kemi bërë në kuadër të Departamentit të Hetimeve. Shemsiu mbetet një epror i vyeshëm i Policisë. Ne e kemi caktu te pozicionin i zëvendësdrejtorit të hetimit të drogave. Ne vlerësojmë se atje do të japë një kontribute të mirë”, ka thënë drejtori i Policisë.

Ai ka thënë se asnjë lëvizje nuk është bërë për të mbrojtur apo ndjekur dikë.
“Nuk merrem me emra se kush hetohet. Ne nuk i shikojmë emrat se kush hetohet. E dyta, udhëheqës i hetimeve është prokurori”, ka shtuar ai.

 “Më 15 korrik të vitit 2023 ishte raportuar se Task Forca Anti-korrupsion e Majorit Shemsi Haziri e kishte inicuar vetë rastin ndaj Martin Berishajt, të cilit edhe i kanë ngritur kallëzim penal nën dyshimin për shmangie tatimi, më pas hetimit janë zgjeruar edhe për shpërlarje të parave. /BetimipërDrejtësi