Krasniqi e Hanrahan flasin për domosdoshmërinë e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Krasniqi e Hanrahan flasin për domosdoshmërinë e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Aktuale July 13, 2025 - 18:36

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se në takim me zyrtarin e lartë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan, kanë folur për zhvillimet aktuale në vend e rajon e funksionalitetin institucional. Gjithashtu, ka treguar se në takim biseduan për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“Diskutova për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon. Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë”, ka shkruar kreu i PDK-së pas takimit që ka pasur me zyrtarin e lartë amerikan i cili që nga mbrëmë po qëndron në Kosovë.

Ai tha se në takim ka theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane për aspiratat euroatlantike dhe përpjekjet për integrim ndërkombëtar.

“Biseduam gjithashtu për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Krasniqi.

Shefi i PDK-së thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. “Kosova është, dhe do të mbetet, një partnere e palëkundur e tyre”, tha Krasniqi.