
Qeveria reagon ndaj vendimit të Gjykatës Supreme
Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 që rregullon përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve për fiskalizim.
Në një komunikatë për media, Qeveria ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe me interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore.
Sipas Qeverisë, arsyetimi i Gjykatës, se udhëzimi është miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë pa kompetencë – nuk qëndron. Qeveria thekson se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë, por përjashton vetëm veprimet që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare, projektligje të reja, strategji dhe dokumente konceptuale.
Për më tepër, Qeveria sqaron se procedura për hartimin e këtij udhëzimi kishte nisur në nëntor të vitit 2024, kur ajo gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, çka i jep aktit legjitimitet të plotë procedural dhe substancial.
“Vendimi i Gjykatës është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, sepse njëkohësisht njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj”, thuhet në komunikatë.
Qeveria gjithashtu i është përgjigjur pretendimit për konflikt funksional mes ministrit në detyrë dhe statusit të deputetit, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO124/25, sipas të cilit Kuvendi i ri ende nuk është funksional për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve. Sipas këtij interpretimi, nuk ekziston ende konflikt funksional, pasi përbërja e re e Kuvendit nuk ka hyrë në funksion kushtetues.
Në fund të reagimit, Qeveria riafirmon përkushtimin për respektimin e rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve të shtetit.
“Vendimet e gjykatave duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të mbështeten në standarde të qarta juridike, jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht”, përfundon komunikata, duke paralajmëruar se do të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike për rikthimin e ligjshmërisë.