
Njëmbëdhjetë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë
Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur se në 12 orët e fundit janë regjistruar 72 vatra zjarri dhe prej tyre 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 të tjerë janë lokalizuar.
“Situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë”, ka thënë agjencia përmes një postimi në Facebook.
Ajo ka thënë se për ta shuar zjarrin në fshatin Gmicë e ka kërkuar edhe ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius këtë javë.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.
Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.