Sakrifica për kafshatën e gojës nën temperatura të larta
Foto: Laura Hasani

Sakrifica për kafshatën e gojës nën temperatura të larta

Aktuale August 13, 2025 - 10:35

Ministria e Shëndetësisë mori vendim për zbatimin e disa masave mbrojtëse për punëtorët, të cilët punojnë në ambiente të hapura këto ditë me temperatura të larta. Ky vendim i Ministrisë vlen 11 deri më 15 gusht.

Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandohet që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 11 – 15 gusht 2025. Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.

Lidhur me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektorati Qendror i Punës tha se ka intensifikuar inspektimet në terren, për të parë nëse po zbatohet vendimi i marrë një ditë më parë.

Inspektorati Qendror i Punës është duke kryer inspektime të rregullta dhe të intensifikuara në të gjitha institucionet publike dhe private. Qëllimi i këtyre inspektimeve është të sigurohet që punëdhënësit të respektojnë masat mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme, me synim ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve, sidomos atyre që punojnë në kushte të vështira dhe në ambiente të hapura.

Por që zbatimin e vendimit nuk po e shohin në Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat. Kështu deklaron kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, sipas së cilit puna në ambientet e jashtme po rrezikon shëndetin dhe jetën e punëtorëve.

“…vetëm në muajin korrik kemi 8 punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Në këto dy ditët e fundit temperaturat kanë qenë të larta, e punëtorët sidomos në rrugën Prishtinë-Podujevë kanë qenë në terren. Nga janari e deri në korrik kemi 27 jetë të humbura…”, tha Azemi.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë është i qëlluar sipas ekspertit të sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktarit, por që sipas tij zbatimi lë për të dëshiruar.

“Marrja e masave është shumë e rëndësishme sidomos për punëtorët në ndërtimtari dhe bujqësi. Masat duhet të merren nga punëdhënësit. Zbatimin e masave duhet ta bëjnë vet punëtorët. Kjo kategori duhet të mbrohet sepse në vendimin e MSH-së është përmendur se cilat duhet të kenë kujdes të shtuar…”, tha Bajraktari.

Të dhënat e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat flasin për një numër në rritje të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës. Nga janari e deri në korrik sipas të dhënave të sindikatës, kanë humbur jetën 27 punëtorë në vendin e tyre të punës. /rtv21