Cakolli: Emërimi i Hysenit në krye të ATK-së, shembull tipik i kapjes së institucioneve publike
Mentor Hyseni është zgjedhur drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka njoftuar Ministria e Financave.
Mentor Hyseni në vitin 2019 ishte prezantuar si anëtar i ri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky emërim ka ngjallur reagime, shkruan Zeri.info.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se ky është shembull i kapjes së institucioneve publike.
“Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara”, ka shkruar Cakolli në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Sipas Cakollit, përveç kapje e institucioneve, emërimi i Hysenit është shkelje e kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë.
“Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)Ministrin e Financave”, është shprehur tutje Cakolli.
Reagimi i plotë i Cakollit, pa ndërhyrje:
Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyçe të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike.
Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara.
Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)ministrin e Financave. /Zëri