Mbi 40 shtëpi në fshatrat e Gramshit u dogjën nga zjarri

Mbi 40 shtëpi në fshatrat e Gramshit u dogjën nga zjarri

Aktuale August 13, 2025 - 19:48

Rreth 40 shtëpi në fshatrat e Gramshit janë djegur nga zjarri dhe janë kthyer të pabanueshme, megjithëse ende nuk ka përfunduar evidentimi i plotë për shkak se flakët vazhdojnë me intensitet.

Top Channel shkruan se sa i përket aspektit të blegtorisë, katër fshatra të cilat nuk patën kohë të përgatiteshin për evakuimin, Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër ishin më të dëmtuarat.

Sipas verifikimeve në terren të Top Channel, një numër prej 50-60 bagëtish janë gjendur të djegura dhe disa dhjetëra kafshë pune që nuk kishin arritur të dilnin nga strehat.

Edhe ato bagëti që i kanë mbijetuar flakëve në fshatrat më të thella ku nisi vatra e zjarrit thuajse nuk kanë shanse për të mbijetuar për shkak të vapës dhe mungesës së ujit duke qenë se banorët vijojnë të jenë të evakuuar. Po ashtu, përbën rrezik për rikthimin e tyre në banesa.

Flakët aktualisht janë me intensitet të vogël por ende po monitorohet nga strukturat vendore shqiptare sepse era  herë pas herë rrit intensitetin, shton rrezikun për vatrave të reja.