
29 vatra zjarri ende aktive në Shqipëri, mbi 1 mijë e 100 forca në terren
Gjatë 48 orëve të fundit Shqipëria është përballur me një situatë të vështirë për shkak të përhapjes së zjarreve në disa qarqe të vendit.
Megjithatë, falë përpjekjeve të mbi 1 mijë e 100 forcave të emergjencave, të ndihmuar edhe nga mbi 400 pjesëtarë të FA-së, situata po paraqitet më e stabilizuar mëngjesin e sotëm.
Ministria e Mbrojtjes në bilancin që ka publikuar bën me dije se janë raportuar gjithsej 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten ende aktive, me përqendrim të lartë në qarqet Vlorë, Berat, Dibër, Elbasan dhe Tiranë, shkruan A2CNN.
Forcat zjarrfikëse, efektivët e Forcave të Armatosura, autoritetet vendore dhe strukturat mbështetëse kanë ndërhyrë me intensitet të lartë në zonat më të prekura, duke përdorur mbi 65 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë të FA dhe mbështetje ndërkombëtare nga Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në disa raste, është bërë edhe evakuimi i banorëve për të shmangur humbje në njerëz, si në Gramsh dhe Delvinë, ku situata arriti pikën kritike mbrëmjen e së martës.
Ndërsa në terren vijon lufta për izolimin dhe shuarjen e vatrave, strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë, duke monitoruar me kujdes çdo zhvillim.