Mungojnë katër deputetë, a u shkel urdhri i Kushtetueses?
Foto: Laura Hasani

Mungojnë katër deputetë, a u shkel urdhri i Kushtetueses?

Aktuale August 20, 2025 - 19:51

Posa hyri në sallë,  kryesuesi i seancës konstatoi se kushtet u plotësuan për vazhdimin e seancës.

Ai bërë të ditur se në seancë janë 116 deputetë.Ky konstatim nga Dehari, bëri të ditur se 4 deputetë, nuk janë të pranishëm në seancën e së mërkurës.

Por, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese urdhëron të gjithë deputetët, të jenë të pranishëm në seancën konstituive.

“TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, thuhet në aktgjykim.

Nga partia me numrin më të madh të deputetëve në sallë, thonë se të gjithë deputetët e tyre, ishin të pranishëm në seancën e së mërkurës.

Ne kemi qenë të gjithë të pranishëm, tha Arbëreshë Kryeziu -Hyseni

Nga vështrimi i ulëseve nga lart, shihet se në sallë janë prezent vetëm 5 deputetë të Listës Serbe, nga 9 gjithsej.

Por, njohësit e ligjit, thonë se pavarësisht urdhrit të Kushtetueses, deputetët mund të mungojnë me arsye.

“Vlerësoj që seanca është zhvilluar konform standardeve dhe kërkesave të përcaktuara me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Sa i përket çështjes së deputetëve është çështje ekskluzive e tyre dhe duhet parë se nëse të njëjtit kanë pasur arsyetime të qëndrueshme për mungesën e tyre në seancë”, ka thënë Bajraktari.

Pavarësisht numrit të madh të deputetëve të pranishëm në sallë, dy propozimet e LVV-së për poztin e kryekuvendarit, nuk i morën votat e mjaftueshme.