Moscertifikimi i Listës Serbe, reagon Ambasada Gjermane: Jemi të shqetësuar
Foto: Laura Hasani

Moscertifikimi i Listës Serbe, reagon Ambasada Gjermane: Jemi të shqetësuar

Aktuale August 22, 2025 - 14:42

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar lidhur me vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale, duke ngritur shqetësime mbi përjashtimin e partive nga gara zgjedhore. Në një përgjigje për Klan Kosova, Ambasada nënvizon rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë në procesin demokratik, për aq kohë sa partitë i përmbushin kriteret ligjore.

“Jemi të shqetësuar që partitë politike po përjashtohen nga zgjedhjet. Ashtu si në shkurt, ku KQZ-ja refuzoi gjithashtu certifikimin e Listës Serbe (SL), SL tani po apelon nëpërmjet Panelit të Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (ECAP). Ne e mirëpresim këtë hap. Të gjitha partitë që plotësojnë kërkesat e nevojshme dhe që përputhen me ligjin e Kosovës duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje demokratike. Ne presim që të gjitha palët e interesuara të zbatojnë rendin procedural të bazuar në rregulla, për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Ndërkohë, Lista Serbe ka paraqitur ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar vendimin e KQZ-së për moscertifikim. Ky zhvillim pritet të trajtohet në vijim nga organet kompetente, ndërkohë që ambasadat perëndimore theksojnë nevojën për procese zgjedhore të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.