
Kadrijaj: Dimal Basha ishte më i miri i LVV-së
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha se zgjedhja e kryeparlamentarit Dimal Basha ishte zhvillim interesant.
Sipas saj, propozimi i LVV-së tregon se Basha ishte kandidati më i mirë nga kjo parti.
Pas votimit të kryeparlamentarit, ajo njoftoi se do të takohen në parti dhe të flasin për zgjedhjen e nënkryetarëve.

“E pamë që pas gjashtë muajve, gati shtatë muajve ngërçit edhe bllokimit të konstituimit të Kuvendit sot ishte një zhvillim interesant, sot u votua një kandidat i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentar. Ky ishte më i miri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe që deputetët meqë shumë deputetë kanë thënë ‘nëse është ndonjë deputet që propozohet për kryeparlamentar dhe nuk ka qenë pjesë e qeverisë do të votojmë’, ne Aleanca e kemi lënë në vullnetin e lirë si do të votojmë, e keni parë që nuk kemi votuar njëjtë të gjithë. Megjithatë, ky kryeparlamentar i mori votat. Ishte zgjedhja e LVV-së, deri tani kanë akuzuar ish-partitë opozitare se po e bllokojnë konstituimin e kuvendit, ndërsa sot po shihet qartë se kush ka qenë që gjashtë muaj pengues në konstituimin e Kuvendit”, deklaroi ajo.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka qenë prezent në sallën plenare gjatë votimit të kryeparlamentarit, për çka Kadrijaj tha se “sigurisht ka pasur ndonjë telefonatë”.
“Sigurisht e ka pasur ndonjë telefonatë apo diçka sepse ishte prezent dhe është kthyer por tash te ne ka qenë vullnet i lirë se si do të votojmë, do të votojmë për, do të votojmë kundër apo abstenim”, tha ajo.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, seanca do të vazhdojë pas një ore ku do të vijohet me votimin e nënkryetarëve.
