
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së takohet me përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, priti sot në takim përfaqësues të Projektit për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (EPH) të Ambasadës Britanike, në kuadër të një vizite njoftuese me z. Alan Edwards, mentor për EPH.
Sipas njoftimit thuhet se gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit institucional për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe evazionit tatimor.
"Edwards ka një përvojë të gjatë profesionale në këtë fushë. Në rolin e tij të ri, ai do të mbështesë institucionet e zbatimit të ligjit – përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës në themelimin dhe funksionimin e EPH-së, duke kontribuuar në krijimin e një precedenti të suksesshëm që do të lehtësojë trajtimin e rasteve të tjera në mënyrë më efektive", thuhet në njoftim.
Drejtori Hyseni po ashtu vlerësoi lart këtë mbështetje, duke potencuar gatishmërinë e ATK-së për të qenë pjesë aktive në proceset e përbashkëta të bashkëpunimit ndërinstitucional që synojnë forcimin e integritetit dhe transparencës. /Zëri