
Dorëheqja e Aliut, Rama: Largimi i tij jo vetëm humbje për institucionet, por për të gjithë ne
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë sot dorëheqje nga posti i tij. Shkak për dorëheqjen është bërë zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Pas dorëheqjes së Aliut ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama ka falënderuar Aliun për bashkëpunimin, duke theksuar se raportet me të kanë qenë shumë korrekte.
“Dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë Liburn Aliut, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe korrektësinë që tregoi gjatë gjithë kohës sa ishte Ministër i Infrastrukturës në raport me mua si kryetar i kryeqytetit. Largimi i tij nga institucioni nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne që besojmë tek puna dhe idealet e larta të shërbimit publik”, ka shkruar Aliu.
Tutje, ai ka uruar suksese Aliut.
“I uroj suksese në çdo hap të ri dhe e falënderoj nga zemra për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e Kryeqytetit dhe në forcimin e unitetit tonë qytetar dhe kombëtar”, theksoi ai.
Liburn Aliu sot ka njoftuar për dorëheqjen e tij si ministër i Infrastrukturës.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu sot.