Osmani përkujton Nënë Terezën: Zëri i heshtur që u bë frymëzim

Osmani përkujton Nënë Terezën: Zëri i heshtur që u bë frymëzim

Aktuale September 05, 2025 - 11:40

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkujtuar Nënë Terezën nëpërmjet një postimi në Facebook, ku thotë se rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz.

E para e shtetit tutje thotë se veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit dhe se ajo u dha zë të varfërve, të sëmurëve e të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.

“Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në sheshin ‘Shën Pjetri’ në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza u dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi. Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, shkroi Osmani.

Ndryshe, sot shënohet 28-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës dhe 9-vjetori i shenjtërimit të saj.