Sallahu propozon dy zgjidhje kushtetuese për ngërçin në Kuvendin e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Sallahu propozon dy zgjidhje kushtetuese për ngërçin në Kuvendin e Kosovës

Aktuale September 06, 2025 - 14:38

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paraqitur dy zgjidhje kushtetuese për tejkalimin e ngërçit institucional në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë se refuzimi i Listës Serbe për të propozuar nënkryetar nënkupton heqje dorë nga kjo e drejtë, duke përmbyllur kështu konstituimin e Kuvendit.

Postimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese i ka dy zgjidhje kushtetuese:

E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet.

Një situatë e ngjashme është përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet.

E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentës së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë.

Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë