Canaj: Me deklaratat e fundit Kurti dhe LVV-ja bën presion ndaj Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

Canaj: Me deklaratat e fundit Kurti dhe LVV-ja bën presion ndaj Kushtetueses

Aktuale September 07, 2025 - 17:39

Analisti politik Blerim Canaj ka folur për kritikat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të fundit të saj për pezullimin e punimeve në Kuvend deri në fund të shtatorit.

 Canaj ka deklaruar se këto deklarata nga Kurti dhe përfaqësues të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje përbëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, i njëjti pohoi kështu edhe pasi LVV-ja e ka propozuar sot Kurtin për kryeministër të vendit.

“Një reagim i tillë është bërë rutinë – të bëhet presion ndaj gjykatave, pra nga Qeveria në detyrë e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Tani jemi në një situatë ku po presim një vendim nga Gjykata Kushtetuese, dhe kjo, në sytë e mi, duket sikur Kurti po i thotë militantëve: ‘Ne jemi gati, por këta nuk po na lejojnë’. Kjo për faktin se Albin Kurti është propozuar kandidat për kryeministër nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.”

“Ligjërisht, kjo është sikur dikush të marrë një person nga jashtë dhe t’i thotë: ‘Tash ne, si parti, po të marrim dhe po të propozojmë për kryeministër’. E dimë si është procesi, e dimë se presidentja nuk ka kërkuar ndonjë emër. Por kjo është vazhdimësi e presionit që aktorët e LVV-së dinë ta bëjnë mbi Gjykatën Kushtetuese,” ka thënë Canaj./klankosova