
Policia e Kosovës pranon donacion nga UNDP-ja
Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka pranuar donacion nga UNDP-ja.
Kjo u bë e ditur pas takimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxhës me zëvendësdrejtorin e UNDP-së, Dudley Tarlton.
Gjatë takimit është bërë pranim-dorëzimi i donacionit, i cili synon përforcimin e kapaciteteve për sigurinë publike dhe kontrollin kufitar.
“Më këtë rast, kolonel Hoxha shprehu falënderimin ndaj UNDP-së, pasi përmes këtij donacioni për herë të parë në Policinë e Kosovës është zhvilluar dhe funksionalizuar platforma e-Learning (mësimi virtual), ku Policia ka përfituar edhe trajnime të dedikuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trajnimeve të reja në këtë platformë. Po ashtu në këtë ceremoni të pranim-dorëzimit Policia ka pranuar softuerë/licenca të avancuara iBase dhe Analyst Notebook, të cilët mundësojnë mbledhjen dhe analizimin e informatave mbi rastet që lidhen me armë zjarri, municion dhe eksplozivë dhe që edhe më tutje do të ngritin efikasitetin e Pikës Kryesore të Armëve (FFP)”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se përveç kësaj, 25 skanera dore do të përdoren për kontrolle më efikase në pikat kufitare, vijën e gjelbër dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke rritur kapacitetin operacional dhe sigurinë e qytetarëve.