Diplomon gjenerata e tretë e asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Diplomon gjenerata e tretë e asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta

Aktuale January 06, 2026 - 18:54

Ka diplomuar gjeneratë e tretë e Nivelit V Post-sekondar për asistent për nxënës me nevoja të veçanta arsimore me një ceremoni në Prishtinë.

E nisur si iniciativë në vitin 2020 nga Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje dhe nëpërmjet akreditimit ndërkombëtar, ky drejtim ka mundësuar që shumë nxënës me nevoja të veçanta të kenë qasje më të lehtë në procesin arsimor me ndihmën e asistentëve të tyre.

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Arsim Ademi  gjatë ceremonisë tha se arsimi gjithëpërfshirës s’është vetëm objektiv strategjik, por angazhim i drejtpërdrejtë për të garantuar barazi e cilësi në sistemin arsimor.

“Roli i asistentit për nxënës me nevoja të veçanta është thelbësor dhe ky profil përfaqëson mbështetje konkrete për nxënësit, ndihmë për mësimdhënësit por edhe një lidhje të rëndësishme ndërmjet shkollës, familjes e komunitetit”, tha Ademi.

 “Ne u sfiduam dhe pamë për së afërmi se sa e nevojshme është të kemi jo veç asistent të ardhshëm që e marrin një diplomë dhe synojnë një vend pune, por ta ushtrojnë detyrën me shpirt”, tha drejtoresha e Qendrës Burimore “Përparimi” në Prishtinë, Drita Dushi./rtk