Vërshimet në Rahovec: Dy familje mbesin të ngujuara për 7 orë në Çifllak
Ishte ora 3 e mëngjesit të 6 janarit, kur një zhurmë e zgjoi nga gjumi. Dhjetë minuta më vonë, i gjithë kati i parë i shtëpisë iu vërshua nga uji.
Xhelal Sahitaj nga Çifllaku i Rahovecit, i cili erdhi në pushim nga Gjermania, mbeti 5 orë i ngujuar në katin e dytë të shtëpisë së tij, pasi kati përdhesë iu përmbyt nga uji.
Për pesë orë, ai thotë se qëndroi i ngujuar me shpresën se uji nuk do e vërshojë edhe katin e dytë të shtëpisë.
Menjëherë ai kishte njoftuar edhe familjen e vëllait të tij. Kunata, nipi e mbesa e tij ishin në gjumë kur kati i parë i shtëpisë së tyre u përfshi nga uji.
Nga shtëpia ata arritën të dalin tek në orën 10 me ndihmën e zjarrfikësve dhe Policisë të cilët i erdhën në ndihmë në orën 8 të mëngjesit.
Nga paniku dhe tentimi për të shpëtuar gjërat me vlerë në shtëpi, nëna e tij u rrëzua dhe për shkak të lëndimeve që pësoi në kokë e krah, u dërgua për trajtim mjekësor në Gjakovë.
Kjo nuk ishte hera e parë që për shkak të reshjeve, 28-vjeçarit iu vërshua shtëpia nga uji. Me një situatë të tillë, ai pohon se është përballur edhe në vitin 2021.
Sivjet pret që kompensimi të jetë më i madh dhe që shtrati i lumit të rregullohet në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet më. /Klankosova