Krasniqi: Dikur kam financuar vetë strukturat e LVV-së për ofendime dhe linçime në rrjete sociale

Krasniqi: Dikur kam financuar vetë strukturat e LVV-së për ofendime dhe linçime në rrjete sociale

Aktuale April 13, 2026 - 22:44

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka bërë deklarata të forta në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, duke folur për periudhën kur ishte pjesë e kësaj partie dhe për rolin e tij në financimin e strukturave të saj.

Krasniqi ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë financues i asaj që ai e ka cilësuar si “burim të së keqes”, duke iu referuar, sipas tij, aktiviteteve që ndërlidhen me fushatat e linçimeve dhe ofendimeve në rrjete sociale.

“Unë kam qenë aty, unë i kam financu. Kur është kriju kjo struktura e Vetëvendosjes për ofendime, fyemje, linçime në rrjetet sociale, unë kam qenë kontribuuesi më i madh i asaj pune”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se, sipas tij, ka kontribuar edhe në pajisjen dhe krijimin e hapësirave ku, siç pretendon ai, janë zhvilluar aktivitete të tilla.

“Ia kam sjellë krejt kompjuterat, i kam ble dhe kam kriju atë dhomën e madhe ku janë ulë me dhjetëra të rinj… dhe kanë fillu me ofendime, me i fy njerëzit mbi baza personale”, është shprehur ai, duke shtuar se më pas ka ndjerë “njëfarë çlirimi personal” kur vetë është bërë objekt i kritikave dhe ofendimeve.

Në vijim, Krasniqi ka pretenduar se ideatorë të këtij mekanizmi, sipas tij, kanë qenë individë të lidhur me grupe nga Shqipëria, duke përmendur disa emra konkretë.

“Kryesisht grupi i Shqipërisë, Dejona, Elvis Hoxha, Bojkeni… këta kanë qenë si ideatorët. E kanë ditë çfarë ndikimi ka me pas kjo formë agresive në publik”, ka deklaruar ai.