Kurti prezanton sistemin e ri në e-Kosova për regjistrimin e të porsalindurve

Kurti prezanton sistemin e ri në e-Kosova për regjistrimin e të porsalindurve

Aktuale May 05, 2026 - 10:54

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar sistemin e ri në platformën e-Kosova, ku ka bërë të ditur se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të lëvizin nga një institucion në tjetrin për të përfunduar procedurat që lidhen me regjistrimin e të porsalindurve.

Sipas tij, tashmë të dhënat për foshnjën dhe prindërit regjistrohen në mënyrë digjitale përmes tabletëve brenda institucioneve shëndetësore dhe më pas barten automatikisht në sistemet përkatëse, transmeton Zeri.info.

Ky integrim përfshin sistemin shëndetësor, regjistrin civil, si dhe skemat e benefiteve për fëmijë dhe lehona, duke eliminuar nevojën për dokumente fizike dhe aplikime të ndara.

Kurti theksoi se pas një pilotimi të suksesshëm në Gjilan dhe Ferizaj, ky shërbim tashmë është shtrirë edhe në Prishtinë, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe në Prizren dhe Vushtrri.

Më tej, ai bëri të ditur se implementimi do të vazhdojë edhe në Gjakovë dhe Pejë, për t’u shtrirë më pas në gjithë Republikën e Kosovës. /Zëri