Rama shkarkon drejtorin e Transformimit
Me zyrtarizimin e koalicionit LDK – PDK në Prishtinë, Drejtori i deritanishëm i Transformimit në Kryeqytet, Gëzim Kastrati ka njoftuar largimin nga kjo pozitë pas një periudhe pune prej rreth një viti e gjysmë si drejtor dhe një viti tjetër si këshilltar në kabinet.
Në njoftimin e tij publik, Kastrati ka bërë të ditur se përfundimi i mandatit vjen pas vendimit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në kuadër të ndryshimeve të shkaktuara nga formalizimi i koalicionit në kryeqytet.
Ai ka theksuar se gjatë kësaj periudhe janë nisur dhe implementuar projekte që synojnë transformimin urban dhe funksional të qytetit, duke i konsideruar ato si pjesë e një vizioni afatgjatë për modernizimin e Prishtinës.
Kastrati ka përmendur gjithashtu sfida gjatë punës së tij, përfshirë bllokada institucionale dhe përplasje me zyrtarë të ndryshëm, të cilat, sipas tij, nuk e kanë ndalur procesin e zbatimit të projekteve.
Në deklaratë, ai ka shprehur mirënjohje për kryetarin Rama dhe ekipin komunal, si dhe për drejtoritë e ndryshme komunale me të cilat ka bashkëpunuar, përfshirë financat, urbanizmin, arsimin, kulturën, investimet kapitale dhe shërbimet publike.
Ai ka theksuar se një pjesë e projekteve janë përfunduar, ndërsa të tjera janë në proces dhe pritet të vazhdojnë nga strukturat përkatëse.
Në fund, Kastrati ka vlerësuar se puna e tij është udhëhequr nga përkushtimi ndaj qytetit dhe interesit publik, duke e cilësuar këtë angazhim si kontribut për të ardhmen e Prishtinës. /Zëri