PDK-ja publikon listën për zgjedhjet e 7 qershorit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Bartës i listës është kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i pasuar nga Uran Ismaili, shkruan Zeri.info.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ku edhe ka publikuar listën, ka thënë se në këtë listë ka profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve.
“Në këtë listë ka energji të re, por edhe përvojë. Njerëz që besojnë se Kosova meriton më shumë dhe më mirë. Mbi 50% e listës së kandidatëve janë prurje të reja, si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj. Përveç listës, në ditët në vijim PDK do ta prezantojë edhe programin më serioz dhe më të përgjegjshëm për shtetin dhe qytetarët. Më 7 qershor, ju do ta keni edhe një mundësi për të vendosur për të ardhmen e vendit, ndërsa thirrja ime është e përzemërt: Besoni në Kosovë!”, ka shkruar Hamza. /Zëri
