Qalaj e Isufaj pjesë e Forumit të Ballkanit Perëndimor
Nën organizimin e Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) në Sarajevë është mbajtur Forumi i radhës Konsultativ i kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve specialë të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit nga Zyra për Komunikim e Prokurorit të Shtetit, në këtë forum morën pjesë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.
“Kryeprokurorët e përgjithshëm dhe ata specialë të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën për të ndarë përvojat dhe sfidat e përbashkëta, për të forcuar përpjekjet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin juridik ndërkufitar në fushën e drejtësisë penale. Në këtë takim, pjesëmarrësit konfirmuan synimet e përbashkëta në luftën kundër krimit dhe theksuan rolin mbështetës që Eurojust-i dhe projekti WBCJ po iu japin autoriteteve të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftim.
Në margjinat e këtij forumi, u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Isufaj, zhvilluan takim edhe me presidentin e Eurojust-it, Michael Schmid, ku u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm dhe mbështetja e vazhdueshme e Eurojust-it.
“Gjithashtu, U.d. kryeprokurori i Shtetit dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale zhvilluan takime bilaterale edhe me homologët e tyre, respektivisht me prokurorin e Përgjithshëm dhe kryeprokurorin e SPAK-ut të Republikës Shqipërisë, kryeprokurorin Suprem dhe kryeprokurorin Special të Malit të Zi, si dhe me prokurorin Publik dhe drejtuesin e Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se në këto takime u riafirmua gatishmëria për thellimin e koordinimit dhe bashkëpunimit rajonal në luftimin e kriminalitetit. /rtk