Kurti në Zvicër: Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar

Kurti në Zvicër: Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar

Aktuale May 23, 2026 - 23:16

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një tubimi me mërgimtarë në Zvicër, ka theksuar se kontributi për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nuk mund të përdoret si justifikim për korrupsion apo pasurim personal.

Kurti ka thënë se drejtësia duhet të vlejë për të gjithë, pavarësisht rolit që dikush ka pasur gjatë luftës apo proceseve shtetformuese.

“Kemi respekt për të gjithë ata që sakrifikuan e kontribuan për çlirimin e Kosovës, bashkimin e për pavarësinë e Republikës. Mirëpo, çfarëdo kontributi nuk është leje për korrupsion e për pasurim”, u shpreh ai.

Ai shtoi se patriotizmi dhe korrupsioni nuk mund të bashkëjetojnë.

“Nuk ka edhe patriot edhe hajn. Ose patriot, ose hajn. Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar. Ose çlirimtar, ose zullumqar”, tha ai.

Kurti kritikoi gjithashtu, pa përmendur emra, disa ish-udhëheqës të pasluftës, duke thënë se “pushimi” nga angazhimi patriotik është shndërruar në korrupsion. Sipas tij, patriotizmi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe demokratik, ndërsa korrupsioni është e kundërta e tij./rtk