Tërnava thirrje partive politike: Fushata të zhvillohet me maturi, larg gjuhës së urrejtjes
Foto: Laura Hasani

Tërnava thirrje partive politike: Fushata të zhvillohet me maturi, larg gjuhës së urrejtjes

Aktuale May 26, 2026 - 11:26

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar nga partitë politike që fushata për zgjedhjet e 7 qershorit të zhvillohet me dinjitet, maturi dhe respekt.

Ai ka theksuar se fushata duhet të jetë larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes, duke bërë thirrje që gara politike të zhvillohet me ide dhe vizion për vendin.

“Më 7 të muajit të ardhshëm vendi ynë përballet me një moment vendimtar për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e shtetit. Është dita kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim, dita kur vota bëhet forcë, përgjegjësi dhe shpresë për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim, unitet dhe vizion.

Andaj, ju bëj thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me maturi, dinjitet dhe respekt, larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes. Le të garohet me ide, vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut, sepse sovrani është qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik. Pavarësisht rezultatit, Kosova ka nevojë për unitet”, ka deklaruar Tërnava.