Nis pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë - Prizren
Kanë nisur punimet për pastrimin e rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë - Prizren.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se projekti për sanimin e skarpateve është hartuar dhe kontrata për realizimin e tij është dhënë më 10 prill 2026.
Megjithatë, sipas ministrisë, për shkak të ankesave, projekti vazhdon të mbahet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), përtej afateve të arsyeshme.
“Nëse OSHP-ja do të ishte më efikase dhe nuk do të kishte zvarritje të panevojshme, projekti i sanimit tashmë do të ishte duke u realizuar dhe qytetarët nuk do të përballeshin me rrëshqitje dheu në rrugë”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht kësaj, autoritetet kanë nisur pastrimin e autostradës nga dheu i rrëshqitur, ndërsa kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar për vonesat e shkaktuara.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit theksoi se siguria e qytetarëve mbetet prioritet dhe se intervenimet nuk do të ndalen në zonat ku rrezikohet qarkullimi dhe jeta e qytetarëve. /Zëri