Hibrid.info: AI dhe dezinformimi po transformojnë fushatat zgjedhore

Hibrid.info: AI dhe dezinformimi po transformojnë fushatat zgjedhore

Aktuale May 30, 2026 - 12:09

Hibrid.info ka prezantuar trendet e reja të dez/keqinformimit dhe format që pritet të përdoren gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke ngritur shqetësimin për rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale, sondazheve të fabrikuara dhe narrativave propaganduese.

Përfaqësues të platformës për verifikimin e fakteve dhe luftimin e dezinformimit thanë se gjatë periudhës zgjedhore pritet të intensifikohen format e manipulimit të opinionit publik përmes rrjeteve sociale dhe mediave online.

Etrit Rexhepi nga Hibrid.info tha se sondazhet e rreme mbeten forma më e përhapur e keqinformimit gjatë fushatave zgjedhore.

“Forma më e shpeshtë, prej momentit kur është shpallur data e zgjedhjeve, por edhe nga monitorimi i fushatat e kaluara zgjedhore, është vërejtur që si formë e parë e keqinformimit janë sondazhet e rreme, apo ato që ne i kemi cilësuar si sondazhe të fabrikuara. pse është paraqitur si formë e parë e keqinformimit të mundshme? Për shkak se si përmbajtje të tilla publikohet shpesh, pra ka një numër të trajtimeve, numër më të madh të trajtimeve nga organizata jonë për sondazhet e rreme, edhe tjetra, ë, ka interaksion më të madh”, tha ai.

Ai tha se përmbajtjet e tilla synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve.

“Pra, këto përmbajtje kur publikohen në rrjete sociale, gjenerojnë një interaksion më të madh nga përdoruesit e këtyre mediave sociale. Çka i karakterizon, sondazhet e rreme? Janë mungesa e një metodologjie të qartë shkencore, pra nuk dihet mostrimi i realizimit të kësaj matje të opinionit publik, nuk dihet mostra që është përzgjedhur, vendi, edhe koha se kur është realizuar ky sondazh i pretenduar”, tha ai.

Sipas tij, sondazhet e fabrikuara përdoren për të krijuar perceptim të rremë për fituesin e zgjedhjeve dhe për të ndikuar tek votuesit.

“Çka synohet me këto sondazhe të rreme është që të ndikohet në opinionin në perceptimin e opinionit publik. Pra, format që synojnë të arrihen me anë të sondazheve të fabrikuara është efekti i fituesit, pra mundohet të paraqitet një realitet ku fituesi me siguri dihet. mënyra tjetër se si mund të ndikohet në perceptimin e opinionit publik është edhe demoralizimi i kundërshtarëve politikë, edhe forma e tretë është që ka për qëllim që deri diku të mobilizohen mbase edhe votuesit kur shohin një sondazh të tillë të rremë”, tha ai.

Rexhepi foli edhe për deklaratat e rreme dhe manipulimin e tyre gjatë fushatës.

“Si formë tjetër, e dytë, e keqinformimit janë edhe deklaratat e rreme. Këto deklarata mund të bëhen nga personazhe të cilat mund të konsiderohet që deri diku e kanë një peshë në opinionin publik, por që shpesh mund të jenë edhe deklarata të vetë aktorëve politikë që të që garojnë në këto zgjedhje. Si formë e publikimit të deklaratave të tilla të rreme janë deklaratat e sajura komplet, janë deklaratat e manipuluara, edhe deklaratat e ricikluara, të cilat publikohen në një kontekst tjetër politik. Çka synohet paraqitet me këto deklarata të rreme është kryesisht në ato që është hasur në platformën tonë, ka për qëllim që të dëmtohet reputacioni i atyre që garojnë në zgjedhje, të rritet reputacioni i kundërshtarit tjetër politik, dhe në anën tjetër të paraqitet një realitet i rremë edhe me anë të këtyre deklaratave të tilla”, tha ai.

Festim Rizanaj, nga “Hibrid.info”, tha se ndikimet nga jashtë, kryesisht nga Serbia, po synojnë të krijojnë narrativa për mungesë të demokracisë dhe presion institucional ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Ai paralajmëroi edhe për përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale gjatë fushatës zgjedhore.

“Edhe një fenomen tjetër domethënë që është në rritje në këtë rast është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale në media sociale ku qarkullojnë, siç jeni dëshmitarë edhe ju po besoj që në fushatën e 28 tetorit domethënë videot e gjeneruara totalisht me inteligjencë artificiale ku simulohen intervista me reale me qytetarë, duke përdorur logo mediesh për t’i dhënë legjitimitet vetes se kjo është një intervistë nga mediat dhe në bazë të përmbajtjes shihet që audio sinkronizimi, personat domethënë personazhet e gjeneruara me AI domethënë që nuk ekzistojnë, duke bërë deklarata politike dhe narrativa të caktuara dhe duke krijuar përshtypjen se këta po japin një intervistë për media dhe po deklarojnë se do ta votojnë këtë parti ose duke e kritikuar një parti tjetër apo qoftë një politikan të caktuar”, tha ai.

Rizanaj tha se në rrjete sociale po përdoret edhe forma e ashtuquajtur “slop AI”, me materiale të gjeneruara me inteligjencë artificiale për të degraduar debatin publik.

“Në kuadër të inteligjencës artificiale, një shprehje që po përdoret ose një formë që po përdoret në media sociale është edhe sllop AI siç po quhet, domethënë ku inteligjenca gjeneron, materiale me inteligjencë artificiale për t’i trajtuar apo diskutuar disa zhvillime politike që ndodhin, por këto përdoren në një formë në njëfarë forme e cilësisë së ulët, pa kontekst, kualitet i ulët, por thjesht, mundohet që hapësira ose debati publik të degradohet, njëkohësisht të diskreditohen disa figura politike dhe publike në bazë të zhvillimeve politike që ndodhnin. Kjo, në njëfarë forme e redukton diskutimin në një nivel e kthen në argëtim. Po ashtu edhe përdoret si një lloj propagande me humor, situata të caktuara, zhvillime të caktuara, përplasje mes figurave politike e të tjera, të cilat sot po përdoren në rrjete sociale shumë dhe po kanë një realitet të madh”, tha ai./EO