Lamallari për Zvërnecin: Prona është private, hetim për kompaninë e sigurisë deri në heqjen e licencës

Lamallari për Zvërnecin: Prona është private, hetim për kompaninë e sigurisë deri në heqjen e licencës

Aktuale May 31, 2026 - 19:10

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura në Zvërnec, ku pati përplasje mes qytetarëve, punonjësve të sigurisë private dhe Policisë së Shtetit.

Përmes një deklarate publike, Lamallari hodhi poshtë pretendimet se qeveria shqiptare ka dhënë apo falur tokë për projektin që po zhvillohet në atë zonë, duke theksuar se bëhet fjalë për një pronë private që u është kthyer pronarëve të ligjshëm dhe është regjistruar në hipotekë vite para ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste.“Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur. Kjo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë vite përpara se ne të vinim në qeveri”, deklaroi Lamallari.

Ministri u ndal edhe te veprimet e punonjësve të sigurisë private, duke theksuar se ata nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj qytetarëve. Ai bëri të ditur se ndaj personave të përfshirë po zhvillohen procedura penale, ndërsa kërkoi që hetimi administrativ ndaj kompanisë së sigurisë të përfundojë sa më shpejt.

Sipas Lamallarit, sjellja e rojeve private ishte e papranueshme, por po aq shqetësuese ishte edhe reagimi i Policisë së Shtetit në vendngjarje.Ai përshëndeti vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit komandues, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve.

“Jo vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, por edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend ishte e papranueshme”, tha ai.

Lamallari paralajmëroi se masat disiplinore dhe goditja e shkeljeve brenda radhëve të Policisë së Shtetit do të vazhdojnë, duke përmendur rastet e fundit në Sarandë dhe Vlorë si pjesë e një qasjeje të re ndaj përgjegjësisë institucionale.

Ai theksoi se Policia e Shtetit duhet të mbetet garantuese e rendit ligjor, mbrojtjes së pronës publike dhe private, si dhe e besimit të qytetarëve te uniforma blu, duke shtuar se çdo devijim nga këto parime do të trajtohet përmes bashkëpunimit të strukturave drejtuese të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.