Biserko: Bllokada politike po i kushton Kosovës, Serbia nuk është sinqerisht e interesuar për integrimin në BE
Foto: Laura Hasani

Biserko: Bllokada politike po i kushton Kosovës, Serbia nuk është sinqerisht e interesuar për integrimin në BE

Aktuale June 05, 2026 - 10:19

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka vlerësuar se bllokada e zgjatur politike në Kosovë po ndikon negativisht në reformat, integrimin evropian dhe besimin e qytetarëve në institucione.

Në një intervistë për RTK-në, Biserko tha se vlerësimi i Parlamentit Evropian se Kosova ka humbur një vit për shkak të ngërçit politik pasqyron shqetësimin e partnerëve evropianë për paralizën institucionale në vend.

“Bashkimi Evropian pret institucione funksionale që janë të afta të marrin vendime dhe të zbatojnë reforma, ndërsa ngërçi i zgjatur politik dërgon mesazh të kundërt”, deklaroi Biserko, transmeton Zeri.info.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me raportet mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe opozitës, por me dallime më të thella politike për mënyrën e qeverisjes, dialogun me Serbinë dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Bllokada politike në Kosovë nuk është vetëm pasojë e antipative personale ndaj Kurtit, por e dallimeve më të thella politike dhe strategjike për rrugën që duhet të ndjekë Kosova”, tha ajo.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Biserko vlerësoi se autoritetet në Beograd nuk kanë vullnet real për një marrëveshje përfundimtare me Kosovën dhe se procesi aktual po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një mekanizëm për menaxhimin e krizave.

“Shoqëria dhe elitat politike të Kosovës janë sinqerisht të orientuara drejt integrimit, ndërsa pushteti aktual në Serbi në thelb nuk është i interesuar për anëtarësim në BE”, u shpreh ajo.

Biserko e cilësoi sulmin terrorist në Banjskë si një test kyç për besueshmërinë e Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Mungesa e ndjekjes penale ndaj Milan Radoiçiqit perceptohet në Bruksel si mungesë gatishmërie e Serbisë për ta procesuar atë”, tha ajo.

Ajo shtoi se përfundimi i dialogut me një marrëveshje juridikisht detyruese do të nënkuptonte pranimin e realitetit të shtetësisë së Kosovës, gjë që, sipas saj, mbetet politikisht e ndjeshme për pushtetin në Serbi.

Në intervistë, Biserko komentoi edhe pozitën e serbëve të Kosovës dhe ndikimin e Beogradit në përfaqësimin e tyre politik. Ajo tha se Lista Serbe vazhdon të funksionojë si instrument politik i Beogradit, ndërsa Nenad Rashiq përfaqëson një alternativë të pavarur.

“Mandati i Rashiqit tregon se një pjesë e elektoratit serb nuk voton sipas udhëzimeve të Beogradit dhe se ekziston mundësia reale që serbët në Kosovë të zgjedhin vetë përfaqësues të ndryshëm politikë”, deklaroi Biserko.

Sipas saj, pa presionin e vazhdueshëm të Serbisë, serbët e Kosovës do të mundë t’i artikulonin më mirë interesat e tyre politike.

“Pa presionin nga Serbia, serbët e Kosovës me siguri do t’i artikulonin më mirë interesat e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se Lista Serbe para së gjithash përfaqëson interesat e regjimit të Aleksandar Vuçiqit”, përfundoi Biserko.