Mërgata shqiptare dhe figura e Adem Jasharit - në fokus të Konferencës Shkencore në Prishtinë

Mërgata shqiptare dhe figura e Adem Jasharit - në fokus të Konferencës Shkencore në Prishtinë

Aktuale June 05, 2026 - 11:24

Kontributi i mërgatës shqiptare në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe mënyra sesi është përjetësuar figura e komandantit Adem Jashari u trajtuan në ditën e dytë të konferencës shkencore “Përjetësimi i heronjve dhe dëshmorëve kombëtarë për çështjen e Kosovës 1980-1999”, e organizuar nga instituti i historisë “Ali Hadri”.

Profesori universitar Isak Sherifi prezantoi temën “Kontributi i mërgatës shqiptare dhe përjetësimi i heronjve dhe dëshmorëve (1981-1989)”, ku tha se periudha 1981-1989 ishte një nga fazat më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve në Kosovë.

“Periudha 1981-1989 përbën një ndër fazat më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve në Kosovë. Demonstratat e vitit 1981 shënuan fillimin e një periudhe të re të rezistencës politike dhe kombëtare kundër regjimit jugosllav, i cili kufizonte të drejtat politike dhe kulturore të shqiptarëve. Në këtë proces, përveç rezistencës së brendshme në Kosovë, një rol të rëndësishëm luajti edhe mërgata shqiptare. Përmes organizimit politik, mbështetjes financiare dhe veprimtarisë propaganduese në vendet perëndimore, ajo kontribuoi në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe në mbështetjen e popullit të Kosovës. Po ashtu, përjetësimi i heronjve dhe dëshmorëve që sakrifikuan jetën për liri dhe të drejtat kombëtare u bë një element i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për forcimin e frymës së rezistencës brenda në Kosovë”, tha ai.

Sherifi theksoi se mërgata shqiptare kishte rol kyç në organizimin politik dhe sensibilizimin ndërkombëtar për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë.

“Mërgata shqiptare ka luajtur rol të rëndësishëm historik në mbështetjen e çështjes kombëtare. Vitet 1981-1989 u bë rol kyç, më i dukshëm për shkak të situatës politike në Kosovë dhe represionit të autoriteteve jugosllave ndaj shqiptarëve. Shumë shqiptarë që jetonin në vendet e ndryshme të Evropës Perëndimore, si Zvicra, Gjermania, Austria, Italia, vendet skandinave e deri në Amerikë dhe në Australinë e largët, u organizuan në shoqata, në organizata politike. Këto organizata politike kishin qëllim informimin e opinionit ndërkombëtar për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe mbështetjen e lëvizjeve për të drejtat kombëtare”, tha ai.

Ai shtoi se protestat dhe mbështetja financiare nga diaspora kishin rëndësi të madhe për familjet e të përndjekurve politikë.

“Një ndër format kryesore të veprimtarisë së mërgatës ishte organizimi i protestave dhe demonstratave në qytete të ndryshme të Evropës. Përmes këtyre aktiviteteve, mërgata përpiqej të tërhiqte vëmendjen e mediave dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj shkeljes të të drejtave të njeriut në Kosovë. Përveç aktivitetit politik, mërgata shqiptare kontribuoi edhe në aspektin financiar. Shumë mërgimtarë ndihmonin familjet e të burgosurve politikë dhe të atyre që përndiqeshin nga regjimi jugosllav. Kjo mbështetje ishte shumë e rëndësishme për familjet që shpesh mbesnin pa burime ekonomike për shkak të persekutimit politik. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kontributit të mërgatës ishte edhe aktiviteti informues dhe kulturor”, tha ai.

Në kuadër të konferencës, studiuesi Durim Abdullahu prezantoi temën “Ikonografia e Adem Jasharit: nga ‘Ai është gjallë’ te ‘Bac u kry’”, ku foli për mënyrën se si është përpunuar ndër vite figura e komandantit legjendar.

“Aq shumë është përpunuar imazhi i Ademit sa që shpeshherë ka humb imazhi origjinal i fotografive prej nga është marrë. Në të majtë është një fotografi që tregon Adem Jasharin si gjimnazist. Do të thotë nxënës i shkollës së mesme. Fotoja e Ademit që është këtu në të djathtë poshtë, është një prej fotografive më të përpunuara, kjo është vetëm një prej pamjeve qysh ai është, mandej edhe ka shku deri sa fshihen në sfond se këtu krejt fshihen vetëm e sheh ose të tjerët që janë në fotografi edhe shkon duke u bë edhe shumë plastike”, tha ai.

Abdullahu foli edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe evolucionin e imazheve të Adem Jasharit në diskursin publik.

“Vitet e fundit ai nisi të përpunohet edhe me inteligjencë artificiale edhe po shpeshherë është kthyer në të lëvizshme e kështu me radhë. Një prej fotografive më të hershme të qarkulluara të Adem Jasharit është kjo, ku ai është fotografuar në Tiranë, me disa prej shokëve të tij, atje është Ijaz Kodra, Sahit Jashari, Jakup Nura, Sami Lushtaku, dhe ky imazh i Adem Jasharit është përdorur edhe nga policia serbe në dosjen e personave të kërkuar prej policisë gjatë viteve 90. Të njëjtin imazh nisim edhe e gjejmë tashmë edhe të pikturuar. Për te marrë tek viti 2008 kur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shfaqet një sllogan, ku ajo pamja fillestare e Ademit që e vendosën tek slogani i vendlindja thërret, merret, vendoset në një dritë hije dhe poshtë i shkruhet slogani bac u kry. Autorët e këtij slogani janë tre djem, Krenar Gashi, Besnik Nuli dhe Muhamet Jashanica dhe kjo kthehet mandej edhe në një pin për përdorim e kështu me radhë”, tha ai. /eo