Haxhiu në takim me zyrtaren e Komisionit Evropian: Kosova meriton statusin e vendit kandidat
U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, e cila po qëndron për vizitën e saj të parë në Kosovë.
Gjatë takimit, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar se kjo përkrahje është shndërruar në institucione demokratike, reforma dhe një orientim të qartë evropian që, sipas saj, gëzon mbështetje të lartë nga qytetarët.
Ajo theksoi se Kosova ka mbajtur një kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe po zbaton me seriozitet obligimet që burojnë nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.
Në takim, Haxhiu kërkoi që progresi i Kosovës të pasqyrohet me një përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian, përmes avancimit të vendit drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
Po ashtu, ajo nënvizoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal, duke theksuar se Kosova duhet të trajtohet me mundësi të barabarta në përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët./Zëri