Spahija: S’na e mbyllën fabrikën, pezullimin e vendosi Bordi i “Vitës” deri në rezultatet e analizave

Spahija: S’na e mbyllën fabrikën, pezullimin e vendosi Bordi i “Vitës” deri në rezultatet e analizave

Aktuale July 03, 2026 - 15:10

Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Artan Spahija, ka mbajtur konferencë për media një ditë pasi në fabrikë u zhvillua një aksion inspektues, duke sqaruar rrethanat që çuan në pezullimin e përkohshëm të prodhimit. Ai tha se vendimi për ndërprerjen e aktivitetit nuk është marrë nga institucionet shtetërore, por nga vetë Bordi i kompanisë, në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.

Spahija bëri të ditur se kontrolli është zhvilluar pas një vendimi të ministrit në detyrë për inspektim urgjent të qumështores.

“Arsyeja e kësaj deklarate ka qenë rasti i djeshëm që ka ndodhur te qumështorja ‘Vita’. Sot kemi një deklaratë për media. Arsyeja e vizitës së një grupi prej 15 apo 20 personave: fillimisht kanë ardhur si inspektorë, pastaj ka dalë që janë nga Ministria me një vendim. Me datën 2 korrik, ministri në detyrë ka marrë vendim për një kontroll urgjence për qumështoren ‘Vita’”, tha Spahija.

Ai shtoi se përfaqësuesit e kompanisë kanë kërkuar sqarime nga grupi inspektues për identitetin dhe kompetencat e tyre, ndërsa tha se në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Ne i kemi pritur në zyra dhe kemi kërkuar nga ata që të prezantohen se për çfarë dhe kush kanë ardhur, sepse ka qenë një numër shumë i madh. Neve na ka ardhur vetëm kjo shkresë nga zyrtarja e ministrisë dhe jo nga dikush tjetër. Për fat të keq, më duhet të them se ai grup punues nuk është marrë fare me ne; ka pasur njerëz të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të AVUK-ut. Pastaj, të gjithë këta kanë filluar vizitën në fabrikë”, deklaroi ai.

Sipas Spahisë, ndryshe nga raportimet se institucionet kishin urdhëruar mbylljen e fabrikës, vendimi për pezullimin e përkohshëm është marrë nga bordi i qumështores, pasi janë marrë mostra të qumështit për analiza.

“Dua t’ju njoftoj që vendimin për pezullimin nuk e ka marrë as Ministria, e po ashtu nuk e ka marrë as AVUK-u. Këtë vendim e kemi marrë ne si bord. Arsyeja e këtij vendimi ka qenë se janë marrë mostrat e qumështit ‘Vita’ 3.2% me pretendimin për analizë. Ne kemi thënë prapë dhe po ju bëjmë apel, që sa më shpejt që është e mundur të kryhen analizat e të publikohen, dhe ne jemi të gatshëm që që sot apo nesër të fillojmë grumbullimin”, u shpreh Spahija.

Kurse Lekë Sahatçiu, drejtor ligjor i kompanisë, tha se shqetësuese për ta mbetet përbërja e personave që kanë marrë pjesë në inspektim.

“Ajo që ka qenë shqetësuese lidhet me përbërjen e personave që kanë qenë aty. Nuk kanë qenë vetëm inspektorë, sepse inspektorë kanë qenë deri në pesë. Kemi pasur një përbërje politike; ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent i yni. Vendimi i ministrit ka qenë joligjor. Arsyeja pse ne kemi reaguar është se në atë përbërje ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent tjetër i yni”, ka thënë ai.

Drejtori i prodhimit, Musë Berisha, tha se nuk e kupton se ku qëndron problemi, pasi, sipas tij, të gjitha produktet me të cilat kompania konkurron, si Halta, Polimark, Plazma dhe Nutella, përmbajnë vaj palme. Ai theksoi se, nëse vaji i palmës konsiderohet i dëmshëm, atëherë kjo vlen edhe për këto produkte.

“Nuk e kuptoj ku është problemi, kur të gjitha produktet të cilat ne i kemi në konkurrencë, sikurse Halta, Polimarki, Plazma, Nutella, të gjitha krejt këtë e kanë vaj palme. Nëse është e dëmshme, është e dëmshme edhe për këto produkte. Unë një gjë duhet t’ju njoftoj, zyrtarisht. Dokumentacionin mund ta keni dhe ju. Për të gjitha produktet të cilat ne i kemi në zhvillim, ende pa dalë në treg, njoftohet Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, zyra rajonale në Pejë, paraprakisht. Me te gjitha specifikimet e produktit, me diagramin e rrjedhës, se si kalon, në cilat linja punohet, të gjitha këto ne i përgatisim në detaje”, tha ai. /EO