Bajrami: S’mund të ketë dialog të besueshëm nëse njëra palë ka pretendime territoriale

Bajrami: S’mund të ketë dialog të besueshëm nëse njëra palë ka pretendime territoriale

Aktuale July 27, 2026 - 07:56
Bajrami reagon ndaj Vuçiqit: Kosova nuk negocion ekzistencën e saj

Deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Kosova është pjesë e Serbisë, kanë nxitur reagime të ashpra në Kosovë dhe në skenën politike evropiane. Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, njëherësh ambasador i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka kritikuar retorikën e Beogradit.

“Beogradi vazhdon të mohojë realitetin, të mohojë të vërtetën dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër dhe ëndërron për përsëritjen e spastrimit etnik. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, ka shkruar Bajrami.

Retorikën e Vuçiqit e kanë kritikuar edhe Demokratët Evropianë, pjesë e Partisë Demokratike Evropiane, të cilët e kanë cilësuar atë si të dëmshme për procesin e pajtimit dhe stabilitetin në rajon.

Në reagimin e tyre, Demokratët Evropianë e kanë ndërlidhur deklaratën e presidentit serb edhe me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila ditë më parë tha se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998.

“Udhëheqja nuk matet vetëm me qëndrimet që mban, por edhe me retorikën që toleron dhe legjitimon”, thuhet në reagim.

Demokratët Evropianë kanë theksuar se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtohet mbi dialogun, pajtimin, përgjegjësinë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.