LVV-ja e LDK-ja, të gatshme për rifillimin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja të Kosovës
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe ajo opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë të gatshme për t’i rifilluar pa vonesa bisedimet për një marrëveshje për themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, thanë zyrtarë nga të dyja partitë të premten.
Bisedimet ishin pezulluar javë më parë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përballej me shkarkim të mundshëm nga partia, por arriti t’i mbijetojë votëbesimit të enjten për herë të dytë këtë vit.
Tani që ai vazhdon ta drejtojë partinë, të dyja palët thonë se bisedimet mund të rifillojnë pa humbur kohë për një marrëveshje, pasi seanca për konstituimin e Kuvendit të ri do të mbahet më 6 gusht.
Partia e kryeministrit në detyrë i rifitoi zgjedhjet, por ajo ka nevojë për një partner koalicioni për ta zgjedhur edhe presidentin e ri të vendit, që është vendimtar në shmangien e atyre që do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare brenda dy vjetësh.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, mbajti takim me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare për përgatitjen e agjendës së seancës së javës së ardhshme.
Haxhiu tha se palët u pajtuan për agjendën për konstituimin e Kuvendit, i cili i hap rrugë formimin të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri, mes frikës së vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Së pari, është lajm i mirë që tashmë, pati mbledhje të LDK-së dje. Pra lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet”, tha Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushte.
Ajo shtoi se, edhe nuk është në mandatin e saj si ushtruese e detyrës së presidentit të flasë për atë çështje, “por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë”.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj pret nga LDK-ja rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje, “sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë punën në të gjitha institucionet me mandatet e përcaktuara”.
Ndërkohë, në natën që i shpëtoi shkarkimit, lideri i LDK-së Abdixhiku tha se pezullimi i bisedimeve me LVV është hequr tashmë.
"Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heq atë pezullimin dhe LDK-ja është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet", tha Abdixhiku.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, duke folur të premten pas takimit për seancën konstituive, shprehu gatishmërinë e partisë për vazhdimin e bisedimeve , por shtoi se për momentin nuk kanë ndonjë ftesë për takim nga lideri i LVV-së.
“Në fakt nuk ka ndonjë ftesë tani meqë janë të lidhura proceset për çka ne i kishim ndërprerë dialogun tonë me vendimmarrësit sa i përket këtij institucioni. Sapo të kemi një takim, do të kemi dialog edhe marrëveshje eventuale nëse do të ketë hapësirë për marrëveshje të tillë”, tha ajo.
Kurti dhe Abdixhiku kanë mbajtur vetëm një takim para se ky i fundit të detyrohej t’i pezullonte bisedimet.
Pas atij takimi në fillim të këtij muaji, të dy liderët kishin thënë se kishin shpresa për një marrëveshje dhe vullnet për vazhdimin e bisedimeve deri në arritjen e saj.
Ndërkohë, Nagavci i mohoi të premten raportimet se ata ishin arritur marrëveshje në parim.
“S’ka marrëveshje në parim. Ka pasur një takim të parë ka qenë në mënyrë konstruktive e shpresëdhënëse. S’ka pasur pajtueshmëri për pozita të caktuara”, tha ajo.
Formimi i institucioneve
Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Partia e tij i mori 53 mandate, dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe - që gëzojnë 10 vende - atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.
Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.